Secondary Adv

Monedha europiane ka humbur 35 për qind të vlerës që nga viti 2016

Euro ka zbritur në 90.72 lekë, duke humbur gati 35 për qind të vlerës ndaj monedhës shqiptare që nga janari i vitit 2016.

Monedha europiane po i afrohet sërish minimumit historik në tregun vendas, duke vijuar zhvlerësimin edhe gjatë muajit nëntor, megjithëse sezoni i pikut turistik ka përfunduar. Rënia e euros kundrejt lekut është pjesë e një tendence afatgjatë që ka nisur prej vitit 2016.


Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 90.72 lekë, duke humbur 0.03 lekë krahasuar me një ditë më parë. Ky është një nga nivelet më të ulëta historike të monedhës europiane, vetëm 0.08 lekë larg minimumit prej 90.64 lekësh, të regjistruar më 22 tetor 2026.


Zhvlerësimi është edhe më i dukshëm në krahasim me vitin 2016, kur nisi cikli i gjatë i forcimit të lekut. Sipas Bankës së Shqipërisë, më 18 janar 2016, euro arriti nivelin 139.48 lekë, më i larti i atij viti. Me kursin aktual, monedha europiane ka humbur 48.76 lekë, ose gati 35% të vlerës së saj kundrejt lekut.


Kjo do të thotë se 1 mijë euro, që në janar 2016 këmbeheshin me rreth 139.5 mijë lekë, aktualisht vlejnë vetëm 90.7 mijë lekë, ose rreth 48.8 mijë lekë më pak.


Forcimi i lekut nisi përpara bumit turistik


Për vite me radhë, institucionet zyrtare e kanë shpjeguar forcimin e lekut kryesisht me rritjen e turizmit, hyrjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e faktorëve themelorë të ekonomisë. Megjithatë, zhvlerësimi i euros ka nisur përpara bumit aktual turistik, ndërsa disa nga treguesit e bilancit të pagesave nuk kanë ndjekur të njëjtën tendencë.


Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për bilancin e pagesave, që pasqyron transaksionet e hyrjes dhe daljes së valutës nga burime si emigracioni, turizmi dhe tregtia e jashtme, tregojnë se gjatë periudhës 2016–2022 deficiti i llogarisë korente u përkeqësua, ndërkohë që euro vijoi të humbiste vlerë.


Përkeqësimi lidhej kryesisht me deficitin tregtar, në kushtet kur ekonomia shqiptare u bë gjithnjë e më e varur nga importet, ndërsa eksportet u përballën me ndikimin negativ të zhvlerësimit të euros.


Në vitin 2022, daljet neto të valutës nga vendi arritën në rreth 1.1 miliardë euro, ose 37% më shumë se në vitin 2016. Megjithatë, gjatë së njëjtës periudhë, monedha europiane ishte zhvlerësuar me rreth 13% kundrejt lekut.


Në kushte të zakonshme, përkeqësimi i deficitit të jashtëm do të ushtronte presion për dobësimin e monedhës vendase. Në Shqipëri, megjithatë, leku vijoi të forcohej, duke ngritur pikëpyetje mbi faktorët që kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit.


Rënia e euros dhe bumi i lejeve të ndërtimit


Sipas analizës së Monitor, zhvlerësimi i euros ka shfaqur një lidhje më të fortë me zgjerimin e aktivitetit të ndërtimit sesa me numrin e turistëve, të paktën deri në vitin 2024, periudhë për të cilën raportohen të dhënat e sakta të lejeve të ndërtimit.


Të dhënat e INSTAT tregojnë se sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivele rekord prej 2.1 deri në 2.7 milionë metrash katrorë në vit gjatë periudhës 2021–2024.


Paralelisht, euro vijoi të zhvlerësohej, duke zbritur nga një kurs mesatar prej 137.4 lekësh në vitin 2016, në 119 lekë në vitin 2022 dhe në 100.7 lekë në vitin 2024.


Kjo ecuri tregon një përkim kohor ndërmjet zgjerimit të sektorit të ndërtimit dhe forcimit të lekut, megjithëse vetëm këta tregues nuk mjaftojnë për të përcaktuar ndikimin e drejtpërdrejtë të aktivitetit të ndërtimit në kursin e këmbimit.


Turizmi ndikoi më ndjeshëm pas vitit 2023


Përmirësimi i bilancit të pagesave nga prurjet turistike nisi të bëhej më i dukshëm në vitin 2023, kur deficiti i llogarisë korente zbriti në 374 milionë euro.


Në vitin 2024, deficiti u përkeqësua sërish, duke arritur në 610 milionë euro, por euro humbi edhe 8% të vlerës kundrejt lekut.


Vetëm në vitin 2025, kur deficiti i llogarisë korente u ngushtua në 178 milionë euro, prurjet nga turizmi u kthyen në një faktor më të rëndësishëm në mbështetje të forcimit të monedhës shqiptare.


Këto zhvillime tregojnë se ndikimi i turizmit në kursin e këmbimit është bërë më i dukshëm gjatë viteve të fundit, ndërsa tendenca e forcimit të lekut kishte nisur disa vite më parë.


Eksportuesit humbasin të ardhura, konsumatorët nuk përfitojnë njësoj


Zhvlerësimi i vazhdueshëm i euros ka krijuar vështirësi për bizneset eksportuese dhe kompanitë që realizojnë të ardhura në monedhën europiane. Të ardhurat e tyre të konvertuara në lekë janë ulur, ndërkohë që kostot e brendshme, veçanërisht pagat, kanë vijuar të rriten.


Nga ana tjetër, konsumatorët shqiptarë nuk kanë përfituar në të njëjtën masë nga ulja e kostove të importeve që mundëson forcimi i monedhës vendase.


Gati dhjetë vjet pas nisjes së ciklit të zhvlerësimit të euros, mbetet e hapur çështja se në çfarë mase kjo ecuri shpjegohet nga turizmi, investimet dhe faktorët realë të ekonomisë, si dhe sa mund të jetë ndikuar nga flukse valutore që nuk pasqyrohen plotësisht në statistikat zyrtare.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat